( Vështrim lidhur me Projekt Ligjin për Ngritjen dhe Përdorimin e Simboleve Kombëtare në Mal të Zi )

Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi, me 10 Korrik të këtij viti njoftoj opinionin lidhur me Projekt-Ligjin për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Ngritjen Publike të Simboleve Kombëtare me ç’rast i bëri thirrje të gjithë të interesuarve që përmes sygjerimeve apo vërejtjeve të tyre eventuale, të inkuadrohen në shqyrtimin dhe diskutimin e Ligjit në fjalë.
Në kuadër të këtij diskutimi publik, do të mundohem që të jap vështrimin tim bashkë me disa vërejtje dhe sygjerime.

Projekt-Ligji në fjalë ka për qëllim rregullimin e pëdorimit publik të simboleve kombëtare në Mal të Zi dhe përqendrohet kryesisht në përdorimin e simboleve kombëtare në nivel zyrtar dhe institucional. Në krahasim me Ligjin egzistues edhe mund të kenë pësuar ndonjë ndryshim pozitiv, megjithate gjithënjë ka mangësi në qartësinë dhe përpikshmërinë e mënyrës së përdorimit privat dhe individual. Këtu e kam fjalën veçanërisht për përdorimin e simboleve kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi.
Siç dihet, viteve të fundit shqiptarët në këtë shtet janë ballafaquar me një numër të konsiderueshëm të incidenteve me rastin e perdorimit të flamurit të tyre kombëtar, qofshin ata në rastin e festimeve të ndryshme brenda lokaleve private apo me rastin e vendosjes së flamurit në shtëpinë e individëve, ku njëherit ka pasur intervenime nga ana e policicë, ndjekje penale dhe denime monetare ndaj tyre. Kryesisht, këto dënime dhe pengesa të përdorimit të flamurit janë bërë në emër të një ligji tjetër , Ligjit për Rendin dhe Qetësinë, neni 23 i të cilit e konsideron flamurin kombëtar të shqiptarëve si flamur i “një shteti të huaj” dhe parasheh gjobitje deri në €2000 euro apo dënim me heqje lirije deri në 60 ditë.

Çështja qëndron në ate se sa është në gjendje Projekt Ligji për Zgjedhjen dhe Përdorimin e Simboleve Kombëtare të evitojë dhe parandalojë incidentet e fundit lidhur me përdorimin e flamurit shqiptar të cilët kanë nxitur intervenimet e organeve policore dhe gjygjësore të Malit të Zi ?.

Sipas mendimit tim, para se të aprovohet Ligji për Përdorimin e Simboleve Kombëtare, në rend parë duhet:
1.Të shqyrtohet kushtetutshmëria e Ligjit për Rendin dhe Qetësinë:
Kushtetuta e Malit të Zi, dispozita ku bën fjalë për të Drejtat e Veçanta të Pakicave, respektivisht , për mbrojtjen e identitetit të tyre, (neni 79 ,alineja e dytë ,thotë: “Pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale u garantohen të drejtat dhe liritë,të cilat mund të përdorën individualisht dhe në bashkësi me të tjerët: në zgjedhjen, përdorimin dhe të shfaqurit publikisht të simboleve kombëtare dhe kremtimin e festave kombëtare”.
Pra, nëse kushtetuta lejon përdorimin “individual dhe në bashkësi me të tjerët e të shfaqurit publik të simboleve kombëtare…”, atëherë përse Ligji i lartëpermendur, e pengon ?;

2. Të bëhet harmonizimi i dhe përputhshmëria e ligjeve të tjera me Ligjin për Përdorimin e Simboleve Kombëtare, me qëllim që të mos jenë në kundërshtim me njëri tjetrin. Është absurditet nëse në njërën anë Ligji për Përdorimin e Simboleve Kombëtare lejon dhe aprovon përdorimin e flamurit shqiptar, kurse në anën tjetër një ligj tjetër, pra Ligji për Rendin dhe Qetësinë e dënon përdorimin e tij !?. Një absurditet tjetër i ligjeve që aprovohen nga Kuvendi i Malit të Zi dhe egzekutohen nga qeveria e saj , është fakti se flamur shqiptar i cili valon në ndërtesat e organeve të qeverisjes lokale në vendbanimet (komunat) me shumicë shqiptare me rastin e festave kombëtare konsiderohet nga shteti malazez si “simbol i popullit pakicë”, në shtetin ku ata jetojnë, kurse përdorimi i të njëjtit flamur nga , për shembull,një tifoz shqiptar, i cili dëshiron të festojë fitorën e Ekipit Kombëtar të Futbollit të Shqipërisë duke shpalosur flamurin kuq e zi në vend publik apo në ndonjë lokal privat , konsiderohet si flamur i një “shteti tjetër” (!?). Pra, këtu qëndron hipokrizia e ligjeve apo rregulloreve në Mal të Zi !.

Sa i përket vetë Projekt Ligjit për Përdorimin e Simboleve Kombëtare propozoj që neni 12 të plotësohet kurse neni 13 i tij të ndryshohet.

-Neni 12 i cili përcakton objektet dhe ndërtesat e organeve të vetëqeverisjes lokale,bashkësive lokale dhe institucioneve publike ku mund të ngritet flamuri kombëtar. Pra, nuk është e qartë se cilat “institucione publike” dhe a përfshihen institucionet arsimore ( shkollat) në këto institucione ?.
Me qëllim që të evitohet paqartësia, propozoj që neni 12 të plotësohet edhe me këte paragraf të ri :
Flamuri duhet të ngritet dhe përdoret,në institucionet arsimore , pra në objektet shkollore . Konkretisht e kam fjalën për shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Mal të Zi,pra në komunat: Ulqin, Tivar, Tuz ( Malësi), Plavë, Guci dhe Rozhajë. Nëse përdorimin e simboleve kombëtare lejohet në ndërtesat e organeve të vetëqeverisjes lokale, atëherë është e arsyeshme që të njëjtat simbole të përdoren edhe në institucionet arsimore (shkollat) të cilat gjinden në territorin e këtyre vetëqeverisjeve lokale dhe ku nxënësit e pjesëtarëve të popullit pakicë ndjekin mësimet.

-Neni 13 i Propozim Ligjit përcakton përqindjen e popullsisë me rastin e përdorimit të simboleve kombëtare,ku thotë:
“Në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjesëtarët e popullit pakicë apo të bashkësisë tjetër nacionale të pakicës përbëjnë mbi 5 % të popullatës, në bazë të rezultateve të regjistrimit të fundit, në ditët e festave shtetërore dhe kombëtare të këtij populli pakicë apo të bashkësisë tjetër nacionale të pakicës, në ndërtesat e organit të vetëqeverisjes lokale ngritet flamuri i këtij populli pakicë apo i bashkësisë tjetër nacionale të pakicës….”.
Problem këtu paraqet kushtëzimi i përdorimit të simboleve kombëtare me përqindjen e popullsisë në njësitë e caktuara të vetëqeverisjes lokale. Kjo qasje nuk shkon aspak në favor apo interes të shqiptarëve duke pasur parasysh se numri i përgjithëshëm i shqiptarëve në Mal të Zi ,ashtu si dhe numri apo përqindja e shqiptarëve në komunat ku gravitojnë ata , vjen duke rënë dhe jo duke u rritur, kështu që aplikimi i kriterijumit të pëqindjes mund të vendos në pikëpyetje përdorimin zyrtar të simboleve shqiptare në disa komuna me popullsi shqiptare, në të ardhmen.
Derisa sot, komunat ku gravitojnë shqiptarët e përmbushin kuotën e pesë perqindshit, kjo në të ardhmen mund të ndyshojë.Konkretisht, sipas regjistrimeve të fundit, në Komunën e Rozhajës shqiptarët përbëjnë 5.4% të popullsisë.Kurse në Komunën e Tivarit, në përbërje të së cilës është treva e Krajës, shqiptarët marrin pjesë me 5.9%, kurse në Komunën e Plavës
19.8 %.Ju rikujtojmë se të dhënat statistikore të shqiptarëve në Komunën e Plavës paraqesin numrin e tyre në kohën kur Gucia ishte pjesë e kësaj komune. Në regjistrimet e ardhshme ky numër parashikohet të jetë më i vogël pasi që Gucia tani është komunë në vehte. Komuna e Rozhajës dhe e Tivarit e kalojnë kuotën e përqindjes vetëm 0.4% ,respektivisht 0.9% , së paraparë me Projekt Ligjin e Përdorimit të Simboleve Kombëtare, përqindje këto të cilat mund të sjellin në rrezik jetësimin e kësaj të drejteje, nëse përqindja e popullsisë shqiptare bjen nën 5%, në regjistrimet e ardhshme.
Andaj, zgjidhja më e mirë e çështjes në fjalë në favor të shqiptarëve do të ishte që në komunën e Ulqinit, Tivarit, Plavës, Gucisë, Rozhajës dhe në Komunën ( Urbane) të Tuzit, të ushtrohet e drejta e plotë e ngritjes dhe përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare, pa u mvarur apo pa u kushtëzuar me kuotën e përqindjes së popullsisë.

Dispozitat e Konventave( Deklaratave) Ndërkombëtare përkufizojnë qartë të drejtat e popujve pakicë, ku përfshihet edhe e drejta e mbrojtjes së identitetit kombëtar.Deklarata për të Drejtat e Popujve Autokton e OKB-së e cila bën fjalë për të drejtat kolektive dhe individuale të popujve vendas, pra autokton dhe ku sqaron të drejtat e tyre kulturore, gjuhësore , mbrojtjen e identitetit, do të duhej të kenë të drejta të veçanta të bazuara në lidhjet e tyre historike me një territor të caktuar, pra në rastin tonë, me trevat e tyre etnike në Mal të Zi dhe me veçori kulturo-historike që i dallon ata nga popujt tjerë që jetojnë në këtë shtet.
Deklarata për të Drejtat e Personave Pjesëtarë të Pakicave Etnike, Fetare dhe Gjuhësore të Kombeve të Bashkuara , neni 1 i saj e thotë qartë se : “Shtetet do të mbrojnë ekzistencën dhe identitetin kombëtar apo entik, kulturor, fetar dhe gjuhësor të pakicave brenda territoreve të tyre dhe do të përmirësojnë kushtet për avancimin e atij identiteti”.Gjithashtu edhe Konventa Kuadër e Këshillit të Europës mbi Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare ( Minoriteteve) , neni 5 i saj , e thekson rëndësinë e “krijimit të kushteve të duhura për pjesëtarët e popujve pakicë për kultivimin, ruajtjen dhe avancimin e elementeve themelore të identitetit të tyre”, e drejtë kjo e cila përfshinë edhe përdorimi i simbole të tyre kombëtare .

Shqiptarët në Mal të Zi, si pjesë e ndarë e popullit shqiptar janë autokton në trojet e veta dhe kanë gjuhë,kulturë,traditë, histori dhe identitet të veçantë. Përdorimi i plotë i simboleve të tyre kombëtare si e drejtë themelore e mbrojtjes së identitetit të tyre kombëtar, nuk duhet të jetë një e drejtë e kushtëzuar apo e kufizuar,por një e drejtë e garantuar.

Xheladin Zeneli
Gusht 2017

(Sygjerimet e lart përshkruara iu dërguan me e-mail Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Popujve Pakicë në Mal të Zi si pjesë e diskutimit publik të Projekt Ligjit
për Simbolet Kombëtare.